ARGUMENTET PRO DHE KUNDRA ZGJERIMIT TË BASHKIMIT EUROPIAN

Argumentet kundra:
1. Mbingarkesa institucionale
Dihet që BE-ja është aq plot, gati në një pikë “për t’u derdhur kupa” siç thotë populli. Çdo shtet anëtar i ri do ta bënte sistemin efektiv të vendimarrjes një mission të pamundur, duke e kthyer dhe vetë BE-në në një mini-OKB. Nga ana tjetër as vetë BE-ja nuk mund ta përballojë zgjerimin. Përveç Islandës, të gjitha shtetet e tjera që aspirojnë të futen në BE, do të përbënin një rëndesë të madhe në buxhetin e saj. Shtetet e pasura si Gjermania, nuk mund të përballojnë të paguajnë për dëshirat e Turqisë apo Malit të Zi. Nga ana tjetër, shtetet e varfra nuk duan konkurrencë në marrjen e fondeve nga BE-ja.
2. Një Union më i thellë dhe jo më i gjerë
Integrimet e herë pas hershme, i kanë zbehur synimet e themeluesve të BE-së. Një Europë më e gjerë është zëvendësuar me një Bashkim Europian më të gjerë. Sa më shumë zgjerohet komuniteti, aq më e vështirë është për të të zhvillohet si një bashkim i vërtetë politik. Nuk është koncidencë që britanikët, të cilët e shohin BE-në jo më shumë se sa një zonë të lirë ekonomike, janë skeptikë ndaj zgjerimit. Është koha të vendoset një kufi dhe të ndërtohet BE-ja rreth shteteve kyçe, të cilat vërtet besojnë në Union. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhë, ku duhet të ndalojmë: në Izrael, Azerbajxhan, Marok apo Cape Verde?
3. Të kërkosh problemet
Zgjerimi i fundit ishte një hap më larg seç duhej. Rumania dhe Hungaria, duket qartë që nuk i përmbushin standartet e BE-së në luftën ndaj korrupsionit; çështja Orban vërteton brishtësinë e demokracisë hungareze. Shtetet perëndimore janë mbingarkuar me punë të lirë dhe të pakualifikuar, ndërkohë që standarti i lirë i punës dhe taksat e padrejta, i kanë fokusuar investimet europiane në Lindje. Zgjerimet e ardhshme do të jenë akoma më keq. Ballkani vazhdon akoma të jetë i mbërthyer mes konflikteve territoriale dhe etnike. Anëtarësia e Ukrainës do ta çonte BE-në një konflikt të hapur me Rusinë, kurse Turqia duket sikur ka nevojë për vite të tëra reforme.
4. Zgjerimi nuk është mirë për vendet kandidate
Këto vende që aspirojnë ose janë kandidate për t’u bërë anëtare të BE-së nuk janë akoma gati. Ekonomitë e tyre nuk janë gati dhe do të vareshin tërësisht nga perëndimi. A luftuan këto shtete kaq fort për t‘u shkëputur nga varësia Jugosllave, vetëm për të parë pavarësinë e tyre t’i nënshtrohet Brukselit? Mendohet se Ukraina do të ishte më mirë me aleatin e saj natyral të lindjes. Ndërkohë që Turqia nuk do të donte vlerat perëndimore t’i imponoheshin kulturës së saj, ndërkohë që është një superfuqi rajonale në Lindjen e Mesme.
Argumente pro:
1. Zgjerimi është gjëja e duhur
Referuar Traktateve të BE-së, ajo mbështetet në “liri, demokraci, barazi, shtet të së drejtës dhe respekt të të drejtave të njeriut”. Duke i mbyllur derën shteteve europiane të cilat ndajnë të njëjtat vlera dhe që shpresojnë t’i përmirësojnë ato, do të ishte një hipokrizi e komunitetit që propagandon diçka dhe vepron ndryshe, duke ulur kështu edhe kredibilitetin e saj. Shumë nga shtetet kandidate ndajnë një histori të përbashkët, dhe në momentin kur ato përmbushin kriterin ekonomik dhe demokratik, BE-ja ka një detyrim moral që t’i lërë ato të bëhen pjesë e Unionit.
2. Eksportimi Stabilitetit
Zgjerimi ka qenë politika e jashtme më e suksesshme e BE-së. Ideja e një anëtarësimi të ardhshëm, e ka mbajtur Europën Qëndrore dhe Lindore në një shteg demokracie dhe paqeje. Pa këtë aspiratë, demonët e konfliktit mund të shfaqen lehtësisht. Ideja e zgjerimit përcjell një stabilitet, demokraci dhe miqrëqenie ekonomike në një rajon kaq konfliktual. Duke i mbyllur derën Ukrainës, Ballkanit, Turqisë dhe vendeve të tjera të lindjes krijon një rajon të paqëndrueshëm kaq afër BE-së.
3. Zgjerimi është një fuqi edhe në numra
Ne jetojmë në një botë superfuqish. Një BE më e madhe do të vendosej më mirë në arenën ndërkombëtare dhe vlerat e saj do të respektoheshin më shumë. Anëtarësimi potencial i Turqisë me 75 milion banorë dhe një ekonomi dinamike, e për më tepër i Ukrainës me 45 milion banorë dhe një burim energjie mjaft të rëndësishëm, do t’i sillnin ekonomisë europiane një rritje të pamohueshme. Duke refuzuar Turqinë, ajo mund të rritet si rival, kurse Ukraina dhe Serbia mundet lehtësisht t’i drejtohen Rusisë.
4. Zgjerimi do të thotë prurje të reja
Ka patur edhe raste suksesi në integrimin e vendeve të reja, si për shembull vendet nordike, të cilat sollën një traditë të lirisë, drejtësisë sociale, ndërgjegjësimit ambiental etj. Ndërkohë që vendet anëtare të reja në jug dhe në lindje të Europës, i kujtuan vendeve anëtare ekzistuese edhe një herë vlerën e demokracisë. Që Europa të vazhdojë të jetë dinamike, duhet që të vazhdojë të jetë e hapur. Zgjerimi kontriubon në diversitetin kulturor që është thesari më i çmuar që ka Bashkimi Europian. Sarajeva, Kievi, Stambolli dhe Beogradi, janë qytete të mahnitshme europiane që meritojnë të jenë Brenda BE-së.

Kalo te paneli