DITA E HAPUR I – DITË INFORMUESE NË KUADËR TË KLINIKËS SË LIGJIT VLORË

Më datë 12 dhjetor 2016, në ambientet e hollit të Departamentit të Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti “Ismail Qemali Vlorë” u mbajt Dita e Hapur I, e organizuar në kuadër të projektit “Edukimi Klinik Ligjor, Siguron Akses në Drejtësi” financuar nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci, të Ambasadës Amerikane. Koordinatorët e Qendrës Europiane në bashkëpunim me studentë dhe profesorë të angazhuar në themelimin e një Klinike Ligji në Universitetin Ismail Qemali Vlorë, fillimisht për ta bërë pjesë të kurrikulës mësimore dhe më tej në ndërtimin e një ambienti për të, prezantuan një informacion të përgjithshëm lidhur me rëndësinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të një Klinike Ligji, përmes të cilës synohet edukimi dhe aftësimi i studentëve ndërmjet ndërthurjes së dijeve teorike me ato praktike.

Për më tepër një mision tepër fisnik që edukon Klinika e Ligjit është ofrimi i ndihmës juridike falas nga vetë studentët për shtresat vulnerabël të shoqërisë apo personat që nuk kanë mundësi ekonomike për të kontraktuar një avokat.

Në broshurën që ju shpërnda studentëve apo personave të tjerë të interesuar gjen të përmbledhur në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme një informacion të përgjithshëm: Çfarë është Klinika e Ligjit?; Kush është qëllimi i saj?; Kush mund të përfitojë ndihmë juridike falas nga Klinika e Ligjit?; Çfarë shërbimesh ofron Klinika e Ligjit dhe si duhet vepruar për të përfituar ndihmë juridike falas?. Të gjitha këto pyetje të ngritura gjenden në broshurën e përgatitur në funksion të këtij projekti. Gjithashtu për studentët ishin përgatitur dhe shembuj kërkesëpadish, kallzimesh penale, kontratash shitje, blerje, sipërmarrje, pune, kërkesa administrative drejtuar institucioneve të ndryshme shtetërore etj.

Studentët dhe pedagogët e fakultetit u informuan për Klinikën e Ligjit të UVLD dhe ishin mjaft të motivuar për t’ju bashkuar kësaj nisme, qoftë për të vënë në praktikë dijet e tyre teorike, por më tepër të ndërgjegjshëm për dhënien e kontributit të tyre përmes punës vullnetare dhe ndihmës në komunitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli