DITA E HAPUR II KLINIKA E LIGJIT FDUT- TAKIM INFORMUES NË KOMISIONIN SHTETËROR TË NDIHMËS JURIDIKE

Sot, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, në Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike u mbajt takimi i radhës në kuadër të “Ditës së Hapur II të Klinikës së Ligjit”, me pjesmarrës një grup studentësh të Klinikës. Kryetarja e Komisionit, Znj. Blegina Agolli vlerësoi dhe mbështeti iniciativën e ndërmarrë për Edukimin Klinik Ligjor dhe po ashtu shprehu  mundësinë e përfshirjes së Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike në këtë nismë.

Takimi informues u organizua në kuadër të implementimit të Programit të Arsimimit Ligjor Klinik, qëllimi i të cilit është zhvillimi i aftësive praktike të studentëve të FDUT-së dhe angazhimi i tyre drejtpërdrejt, për dhënien e shërbimeve ligjore për klientët në nevojë.

Znj. Agolli u shpreh se janë bërë disa amendime lidhur me personat që përfitojnë nga ndihma juridike falas, ku përveç individëve që përfitojnë ndihmë sociale, janë shtuar dhe ata që marrin paga minimale si dhe pensionistët.

Komisioni shtetëror për Ndihmën Juridike ndjek çdo lloj çështje civile, penale dhe administrative, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve në pamundësi financiare në përputhje me Kushtetutën, ligjin nr. 10 039 datë 22.12.2008 “Për Ndihmën Juridike” si dhe në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardeve të BE-së.

Kushdo që ka pamundësi për t’iu drejtuar Gjykatës mund të vijë dhe të plotësojë një formular TIP pranë këtij institucioni, i cili më pas merret në shqyrtim nga Sekretariati, i cili i vë në  dispozicion këtë kërkesë Kryetarit. Pas kësaj Kryetari shqyrton kërkesën dhe vendos për  pranimin, refuzimin apo kalimin e çështjes për shqyrtim Komisionit, duke dhënë dhe argumentin përkatës për çdo rast.

“Ne shprehim bashkëpunim, në adresimin e çështjeve nga praktika në Klinikën e Ligjit, pranë Fakultetit të Drejtësisë, UT, por më tepër si raste studimore apo dhe mundësinë që studentët e interesuar të mund të ndjekin çështje konkrete që ndiqen në gjykatë nga avokatët e këtij Komisioni”- u shpreh Znj. Agolli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli