Finalizimi i iniciativës: Drejt praktikës – përdorimi i jurisprudencës së GJEDNJ-së në nivel vendas

Qendra Europiane, me mbështetjen e Rrjetit të Shtetit të së Drejtës MATRA, ka finalizuar iniciativën “Drejt praktikës – si të përdorim jurisprudencën e GJEDNJ-së në nivel vendas”. Qëllimi i projektit ishte rritja e efikasitetit të masave në kuptimin dhe zbatimin e standardeve europiane të të drejtave të njeriut nga gjykatat vendase, nëpërmjet rritjes së njohurive të magjistratëve mbi jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Kjo iniciativë pati një kontribut praktik drejt përmirësimit të pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të gjyqësorit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë zbatimit të projektit, Qendra bëri një analizë të situatës së referimit dhe përdorimit të jurisprudencës së Strasburgut në vendimet e Gjykatave Kushtetuese dhe atyre të Larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjithë materialeve ekzistuese mbi GJEDNJ-në, që gjendeshin në shqip. Më pas, nisi procesi i draftimit të manualit “Drejt praktikës – përdorimi i jurisprudencës së GJEDNJ-së në nivel vendas. Ky manual synon përmirësimin dhe rritjen e përdorimit dhe zbatimit të standardeve europiane të të drejtave të njeriut nga gjykatat vendase të të gjitha niveleve. Ai shpjegon parashikimet e Konventës dhe jurisprudencës dhe sesi këto mund të transferohen në gjykimet vendase.

Më tej, Qendra organizoi 4 trajnime me gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatave Kushtetuese dhe të Larta të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët ndanë me ekspertë të të drejtave të njeriut kombëtarë dhë ndërkombëtarë, të nivelit të lartë, eksperiencën e tyre të përditshme dhe problemet e hasura në momentin e zbatimit të Konventës. Temat kryesore të prezantuara gjatë këtyre aktiviteteve ishin: pozicioni i Konventës në hierarkinë ligjore vendase, problemet sistemike/strukturore të jurisprudencës së GJEDNJ-së, e drejta për shëndet dhe KEDNJ-ja, e drejta për proces të rregullt në proceset administrative dhe liria e shprehjes në kohë pandemie. Pjesëmarrësit shprehën nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve lidhur me standardet Europiane, përfshirë këtu edhe Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDBE), duke qenë se ka shumë pak referime në shqip. Këto diskutime i erdhën shumë në ndihmë ekspertit ndërkombëtar, z. Ledi Bianku, për finalizimin e manualit.

Qendra do të vazhdojë angazhimin e saj për përmirësimin e njohurive dhe kapaciteteve mbi standardet e të drejtave të njeriut, si pjesë e misionit të saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli