GAZETARËT I KËRKOJNË BE-SË TË KRIJOJË NJË MEKANIZËM TË “SHTETIT TË SË DREJTËS”

Një raport i Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve (KMG), i rekomandon Bashkimit Europian, të krijojë një mekanizëm për “shtetin e së drejtës”, në mënyrë që shtetet anëtare të jenë përgjegjëse për të drejtat themelore, e sidomos për të drejtën e lirisë së shprehjes, në mënyrë që neni 7 të përdoret edhe për të dënuar shtetet që cënojnë lirinë e shprehjes së medias.

I themeluar në 1981, KMG, i përgjigjet sulmeve të ndryshme që i bëhen medias në botë. Më 29 shtator u publikua edhe raporti i Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve, që u quajt “Liria e shtypit në rrezik, ndërkohë BE tenton të koordinojë veprimet me vlerat që promovon”, i cili është një raport që analizon situatën e medias në Union.

Institucionet e BE-së nuk janë të përgatitura siç duhet që të merren me shkeljet që i ndodhin medias brenda në komunitet. Duket sikur BE-ja merret më shumë me përmbushjen e këtyre vlerave nga vendet kandidate, duke prezumuar kështu se shtetet anëtare, kur bëhen pjesë e komunitetit nuk do të bëjnë hapa prapa duke shkelur të drejtat që njëherë u zotuan se do t’i përmbushnin. Për këtë arsye edhe institucionet e Brukselit u gjendën të papërgatitura me situatën në Hungari.

Në fakt liria e medias vetëm u përkeqësua pasi disa shtete u bënë anëtare të BE-së.  Kur Hungaria u bë pjesë e Unioit në 2004, radhitej e 28 sipas “Reporters without Borders, World Freedom Index”, ndërkohë që në 2014 radhitej e 64. Sipas të njëjtit raport, kur Bullgaria u bë pjesë e Unionit në 2007, radhitej e 64, ndërsa në 2014 e 100-ta.

Sfida e Orban nuk është adresuar sipas parashikimeve të rezolutës

Në rastin e Viktor Orban në Hungari, KMG ka dokumentuar se media shtetërore është kthyer në një mekanizëm qeveritar, që reklamat shtetërore nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë, por janë përdorur si një mjet për të falenderuar miqtë e për të ndëshkuar disidentët, gazetarët e pavarur janë margjinalizuar, janë vendosur limite në Ligjin për Lirinë e Informacionit, duke e bërë kështu e vështirë për gazetarët të investigojnë në rastet e korrupsionit. Raporti theksoi se edhe pse sfida e Orban ishte një shkelje direkte e lirisë së medias dhe vlerave të BE-së, ajo nuk u adresua me ndonjë masë konkrete.

Edhe në shtete të tjera anëtare po rriten shqetësimet nga monopolet e mega-mediave, të cilat zotërojnë disa mediume të ndryshme si gazeta, portale online, televizione etj, ku pronari i të cilave zakonisht është një biznesmen i vetëm, i cili ka gjithashtu biznese në fusha të tjera, ku vendimet qeveritare, si tenderat, janë thelbësore në funksionimin e tyre. Për këtë arsye ekziston një risk i vetë-censurimit të medias.

Nepotizmi, militantizmi partiak dhe mungesa e transparencës në alokimin e licencave, subvencioneve dhe reklamave shtetërore, cilësohen shpeshherë si censurimi i butë, ku mjetet financiare të shtetit shërbejnë për të manipuluar artikujt mediatikë.

Ndodh edhe një fenomen tjetër me sjelljen e BE-së, ku në lidhje me reagimin ndaj shkeljeve të lirisë së medias në vendet jashtë Unionit, nëse shteti që ka kryer shkeljen është pak i rëndësishëm, sanksionet ekonomike dhe politike do të jenë më të forta, në krahasim me sanksionet e aplikuara ndaj një shteti të madh. Shembull i tillë ka qenë reagimi ndaj shkeljeve të Rusisë, ku shpeshherë janë cilësuar si: “ të pakta dhe të vona”.

Një zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili preferoi të mbetej anonim, u shpreh për MKG se të drejtat e njeriut nuk janë dhe aq qendrore për BE-në.  Raporti vë në dukje se ”kjo sjellje e papranueshme e BE-së, rrezikon të dëmtojë imazhin e tij si një lider global në të drejtat e njeriut”.

Në Komisionin Europian, përgjegjës për Departamentin e Shtetit të së Drejtës është zv.presidenti i parë, Frans Timmermans, i cili duhet të sigurohet se vendimet e Komisionit janë në përputhje me Kartën e Lirive Themelore. Megjithatë praktikisht, Drejtoria Europiane e Përgjithshme mbi Komunikimin, Networkun, Përmbajtjen dhe Teknologjinë, është më në kontakt me atë çfarë ndodh me shtypin, ligjet për të, përfshirë këtu edhe me ngjarjet në Hungari. Kjo drejtori sigurisht punon ngushtë me drejtori të tjera që lidhen me lirinë e medias si: Drejtoria e Përgjithshme (DP) e Drejtësisë, DP e Konkurencës, DP e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, që merret me shtetet kandidate dhe Shërbimin e Jashtëm Europian.

Komiteti Mbrojtjes së Gazetarëve, rekomandon për BE-në që të ndërtojë një mekanizëm të qartë, transparent, objektiv dhe ligjërisht të zbatueshëm për Shtetin e së Drejtës, ku të konsultohen palë të ndryshme të interesuara, dhe ku shtetet anëtare të bëhen përgjegjës sipas traktateve të  BE-së për shkeljet e të drejtave themelore, veçanërisht të nenit 2 të Kartës së të TBE mbi vlerat themelore, dhe të nenit 11 në lirinë e shprehjes, lirisë së medias, sipas Kartës së të Drejtave Themelore. Komiteti gjithashtu sugjeron që të ketë një monitorim dhe një masë në pezullimin e të drejtës së votës në Këshillin e Ministrave të shtetit që shkel nenin 7 mbi dinjitetin njerëzor, lirinë dhe demokracinë e shtypit.

Ndër rekomandimet e KMG, bëjnë pjesë edhe rekomandimi për shtetet anëtare për të rishikuar dhe shfuqizuar ligjet dhe nenet që kufizojnë lirinë e medias. Gjithashu ata bëjnë thirrje për një ndalim të survejimit në masë të medias dhe rregullimit të survejimit të veçantë, në mënyrë që ato të mos i kufizojnë gazetarët në të drejtën e tyre private dhe në konfidencialitetin e burimeve.

Kur zëdhënëses  së Komisionit Europian iu kërkua të jepte një koment lidhur me rekomandimet dhe kritikat e raportit, ajo u shpreh se shtetet anëtare janë përgjegjëse për legjislacionin që rregullon median dhe jo BE-ja, por sigurisht ata do të bënin maksimumin në promovimin politik të lirisë së medias.

Burimi: Reuters

Kalo te paneli