GJEDNJ MBËSHTET TË DREJTËN E KOMUNITETIT LGBTI PËR ORGANIZIMIN E PARADAVE KUNDËR HOMOFOBISË – ÇËSHTJA IDENTOBA DHE TË TJERË KUNDËR GJEORGJISË, 12 Maj 2015

Kërkuesit Identoba dhe pjesëtarë të tjerë të një OJF-je për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Gjeorgji, vendosën që më datën 17 Maj 2012, të organizonin një demonstratë në mbrojtje të këtyre të drejtave. Leja për zhvillimin e këtij aktiviteti ishte marrë në bashki dhe organet kompetente, dhe për më tepër, organizata kishte njoftuar Ministrinë e Brendshme për praninë e forcave policore gjatë ecjes, në mënyrë që incidentet e pakëndshme të shmangeshin. Ashtu siç ishte parashikuar, parakaluesit u mblodhën në bulevardin kryesor  duke mbajtur disa plakarta ku shkruheshin shprehje të ndryshme që bënin thirrje për diversitet dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Në fillim të demostratës u panë të pranishëm forcat policore, ashtu siç ishte rënë dakord më parë, të cilat i shoqëruan demostruesit gjatë ecjes duke mbajtur një distancë të caktuar. E megjithatë, gjatë ecjes, aktivistët u hasën me një grup kundër-demostruesish, të cilët vinin nga OJF mbështetëse të fesë dhe konservatore. Ata mbanin në duar pankarta me shprehje urrejtjeje dhe degraduese. Pak më vonë, ata iu afruan aktivistëve dhe i rrethuan këta të fundit për të mos i lënë mundësi ikjeje. Gjatë kësaj kohe ata ushtruan dhunë verbale dhe fizike ndaj aktivistëve, madje disa edhe patën dëmtime të rënda fizike. Ndërkohë, forcat policore të pranishme ndërhynë me vonesë për të parandaluar konfliktin duke u futur ndërmjet palëve,ose duke marrë disa nga aktivistët dhe duke i futur ata në makina policie, e për t’i sjellë në shesh disa  orë me vonë.

Aktivistët ngritën padi në Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundra Gjeorgjisë me pretendimet se atyre u ishin shkelur të drejtat e lirisë së shprehjes, e lirisë së grumbullimit dhe demostrimit, dhe u ishte kufizuar lëvizja e lirë nga organet e policisë. Këto pretendime u ngritën përkatësisht në mbështetje të neneve 10, 11 dhe 14. Pretendimeve të tyre u bashkohej edhe akuza e mospërmbushjes së detyrimit pozitiv që kishte shteti për mbrojtjen e integrritetit të tyre fizik dhe moral gjate demostrimit nga policia. Nga ana tjetër, shteti i Gjeorgjisë parashtroi kundër argumentat se kërkuesit nuk kishin ezauruar mjetet e ankimit të brendshëm, se liria e grumbullimit dhe e shprehjes u ishte lejuar nga organet kompetente që kishin dhënë lejen për organizimin e demonstrimit në bulevard, dhe se detyrimi ligjor i shtetit për të mbrojtur sigurinë e aktivistëve ishte përmbushur, duke qenë se policia kishte ndërhyrë në konflikt dhe se gjithashtu aktivistët ishin marrë nga policia dhe larguar nga vendi i ngjarjes derisa situata të qetësohej.

Gjykata në qëndrimin e saj u shpreh se kishte juridiksion të trajtonte çështjen, kurse për pretendimin e shtetit se kërkuesit nuk kishin ezauruar mjetet efektive të ankimit të brendshëm, tha se ky kusht nuk ishte domosdoshëm të aplikohej kurdoherë, përkundrazi ajo shikohej në lidhje me çdo çështje në veçanti. Në rastin konkret, Gjykata e Strasburgut tha se nisja e procedurave te ankimit penal kundrejt dhunuesve kundër-demonstrues, mjaftonte si arsye në përmbushje të kushtit. Për pretendimet e ngritura nga kërkuesit lidhur me shkeljet e lirisë së shprehjes dhe grumbullimit sipas nenit 10 dhe 11, Gjykata i gjeti ato me vend, e megjithatë vendosi se neni 11 ishte lex specialis, e për pasojë nuk ishte nevoja që të ngriheshin pretendime më vete dhe sipas nenit 10. Ndërsa për sa i përket argumentit të Gjeorgjisë se ishte në diskrecionin e forcave policore për të ndërhyrë në situatë dhe për të garantuar kështu mbrojtjen e aktivistëve dhe përmbushjen e detyrimit pozitiv të shtetit, Gjykata vuri në dukje se ndërhyrja nga forcat e policisë ishte bërë me vonesë dhe se shteti kishte dështuar në mbrojtjen e këtyre individëve, duke dështuar kështu edhe në përmbushen e detyrimit pozitiv ligjor. GJEDNJ theksoi në mbështetje të frymës demokratike dhe parimeve të përgjithshme se të drejtat e çdo individi duhet të respektohen dhe se pavarësisht bindjeve të shumicës, të drejtat e pakicës duhet të garantohen e të mbrohen në çdo rast.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli