GJYQI SIMULUES, DEPARTAMENTI PENAL – KLINIKA E LIGJIT FAKULTETI JURIDIK
Të martën më datë 07.04.2015, në orën 09:30, pranë ambienteve të Klinikës së Ligjit në Fakultetin e Drejtësisë, u zhvillua gjyqi simulues i Departamentit Penal, si një produkt i bashkëpunimit të ngushtë mes JuST-USAID dhe Qendrës Europiane në Programin e Edukimit të Klinikës Ligjore.
Gjyqi u zhvillua si një finalizim dhe konkretizim i punës në trajnimin 3 ditor mbi procesin gjyqësor penal dhe rolet respektive të këtij procesi. Gjatë ditëve të mëparshme studentëve u ishte shpërndarë një broshurë me materiale të ndryshme mbi një kazus, i cili shërbeu më pas edhe si një skenar për simulimin. Referuar materialeve në broshurat e dhëna, studentët u caktuan në role të ndryshme si prokurorë, dëshmitarë dhe avokatë. Përveç njohurive teorike të mbledhura gjatë viteve të studimit, pjesëmarrësit e këtij trajnimi mundën t’i aplikonin ato brenda kornizave të rolit që u ishte caktuar.
Duke qenë se pjesëmarja e studentëve ishte e konsiderueshme dhe me mjaft interes, u caktuan katër grupe performuese në gjyq, ku secili kishte në dispozicion 60 minuta për të zhvilluar seancën gjyqësore. Secili grup përbëhej nga 2 avokatë, 2 prokurorë, 2 të akuzuar, 1 polic gjyqësor dhe 1 dëshmitar, ashtu siç ndodh në një proces të rregullt penal. Përkatësisht:
Grupi I – Prokurorë: Lulzim Bajramemaj, Xhuliana Balla. Avokatë: Artemida Hoxhaj.
Grupi II – Prokurorë: Geis Bega, Mirlinda Shala. Avokatë: Romina Turku, Fatime Hajdërasi.
Grupi III – Prokurorë: Françeska Shehu, Klea Xhebeliu. Avokatë: Griselda Kola, Sidorela Çela.
Grupi IV – Prokurorë: Mentina Tanushi, Ariola Hasanaj. Avokatë: Mimoza Quku, Zhyliena Azemaj.
Në rolin e dëshmitarëve: Tekla Xhyra, Gloria Rushitaj, Ana Atia dhe Eva Zeneli.
Ndërsa paneli gjykues përbëhej nga dy profesorë të së drejtës penale pranë fakultetit Besnik Çerekja dhe Kreshnik Myftari anëtarë dhe kryetar i trupit gjykues Alban Koçi.
Studentët patën mundësi të ushtroheshin në rolet e tyre përgjatë tre ditëve, të njiheshin me materialin si edhe të merrnin këshilla nga profesori trajnues lidhur me sjelljen profesionale dhe asistencën ligjore. Edhe pse çështja e trajtuar ishte e njëjtë për të katërt grupet, ajo paraqiti interes në planin krahasues ku studentët jo vetëm mësuan si të flasin në seanca gjyqësore, por edhe nga performimi i kolegëve të tyre.
Mbyllja me sukses e gjyqit simulues të Departamentit Penal, ishte një hap më tej për studentët e Fakultetit Juridik për ushtrimin e njohurive të tyre në fushën penale dhe përballimin e situatave në gjykatë, situata të ngjashme me të cilat do të përballen më vonë kur të asistojnë individët që do t’i drejtohen Klinikës së Ligjit për shërbim ligjor falas.