Koalicioni “Bashkë për fjalën e lirë”

Liria e shprehjes dhe e drejta për informim janë pjesë e të drejtave themelore të njeriut, që sigurojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë. Roli i medias është thelbësor e i patjetërsueshëm në mbrojtjen dhe realizimin e këtyre të drejtave.

Në këtë kuadër Qendra Europiane, shoqata Gruaja tek Gruaja dhe Këshilli Shqiptar i Medias kanë shpallur thirrjen për anëtarësim në Koalicionin “Bashkë për Fjalën e Lirë” në qarkun e Shkodrës.

Ky koalicion do të jetë një bashkim vullnetar aktivistësh, organizatash jofitimprurëse dhe/ose rrjetesh me anëtarësi apo pa anëtarësi, i cili do të konsistojë në një grupim të lirë të llojit të forumit qytetar, që nuk ndjek qëllime fitimi dhe është i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që punojnë për realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Anëtarët e tij funksionojnë si njësi të pavarura, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet në fuqi.

Kjo nismë zhvillohet në kuadër të projektit “Media e pavarur për një qeverisje demokratike”, zbatuar nga Qendra Europiane, shoqata Gruaja tek Gruaja dhe Këshilli Shqiptar i Medias me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli