KONFERENCA SHKENCORE – SIGURIA NJERËZORE DHE TË DREJTAT E NJERIUT: SFIDAT E SHEKULLIT XXI

Më datë 4 nëntor, pranë Institutit të Studimeve Europiane – Universiteti i Tiranës, u mbajt konferenca shkencore “Siguria njerëzore dhe të drejtat e njeriut: Sfidat e shekullit XXI”. Konferenca u organizua nga Qendra Europiane në bashkepunim me Institutin e Studimeve Europiane dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë, me mbështetjen e Citizens’ Assembly.
Qëllimi i kësaj Konference Shkencore ishte të krijohej një pasqyrë e të drejtave e njeriut dhe sfidave me të cilat këto të drejta po perballen në ditët e sotme në të gjithë botën, veçanërisht në Rajonin e Ballkanit.
Situatat dhe problemet aktuale si kriza migratore, lufta ne Siri, ISIS, sulmet terroriste etj, kanë krijuar shumë probleme në përmbushjen e të drejtave dhe lirive themelore që i takojnë cdo njeriu. Këto probleme janë fokusuar më shumë në Rajonin e Ballkanit, i cili në dekadat e fundit është përballur me shumë situata që kanë pasur një impakt global për të drejtat e njeriut. Nëpërmjet këtij aksioni qëllimi ynë ishte të përmirësonim njohuritë mbi sigurinë njerëzore , me një fokus të veçantë në zhvillimet aktuale të lidhura me të drejtat e njeriut.
Objektivi i përgjithshëm i projektit ishte: “Dhënia e kontributit për një kuptim më të mirë te sigurisë njerëzore dhe dinamikave të saj, duke inkurajuar akademikët profesionistë shqiptarë të ndërmarrin një kërkim akademik në këtë fushë, që nuk është përshtatur mirë në realitetin shqiptar”.
Konferenca i dha mundësi kërkuesve dhe profesorëve shqiptarë, të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të prezantojnë kërkimet e tyre mbi tematikën. Konferenca filloi me një fjalë përshëndetëse nga Prof.Dr. Valentina Duka, Dekane e Fakultetit te Historisë dhe Filologjisë, e ndjekur nga Znj. Ilira Çaushi, Drejtore e Institutit të Studimeve Europiane dhe Znj. Ina Xhepa, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Europiane.
Gjatë konferencës u mbajtën 26 prezantime mbi shumë tema, nga të cilat u konstatua se mekanizmat rajonale duhet të përmbushin detyra të rëndësishme dhe duhet të forcohen për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, qeveritë, shoqeria civile dhe vete qytetarët duhet të perfshihen në implementimin praktik të të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli