KONFERENCË SHKENCORE NDËRKOMBËTARE NË KUADËR TË PROGRAMIT TË EDUKIMIT KLINIK LIGJOR

Në datë 28prill, 2015, në orën 10:00, në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare Shkencore në kuadër të implementimit të Programit të Arsimimit Klinik Ligjor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, të mbështetur nga JuST-USAID. Konferenca, organizohej në bashkëpunim me Washington and Lee School of Law, me ndihmë organizative të Qendrës Europiane.

Tema e Konferencës ishte “Arsimi Klinik Ligjor, Aftësimi Praktik i studentëve të drejtësisë dhe metodologjitë me orientim praktik të mësimdhënies; ndërtimi i urave midis teorisë dhe praktikës”.

Të ftuar nderi në këtë event ishin rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Dhori Kule, drejtori i JuST-USAID Marcus Johnson, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, UT Prof. Dr. Altin Shegani si dhe profesori i Universitetit të Drejtësisë “Washington and Lee” Thomas Speed Rice. Ky event po ashtu pati të ftuar dhe bashkëpunëtorë të huaj dhe shqiptarë si dhe pedagogë e studentë të fakulteteve të drejtësisë në Shqipëri dhe jo vetëm, të cilët treguan interesim për temën në fjalë.

Kjo Konferencë ishte e ndarë në tre panele, ku moderator në sesionin e parë ishte Prof. Asoc. Evis Alimehmeti, më pas dy sesionet e tjera u moderuan nga Prof. Asoc. Ilir Rusi dhe nga Dr. Alban Koçi. Çdo sesion kishte përkatësisht 6 punime shkencore, ku pedagogët dhe doktorantët bënë prezantimin e tyre. Punimet ishin mjaft të larmishme me tema të spikatura, qasje dhe perspektiva të reja, po aq lidhur me funksionimin e efektivitetin e klinikës së ligjit si dhe sfidat e saj në realitetin shqiptar.

Veç të tjerash këto punime shkencore pasurojnë kurrikulën e Fakultetit të Drejtësisë në përgjithësi dhe Klinikës Ligjor në veçanti, si dhe paraqesin orientime mbi konsolidimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të drejtësisë në ofrimin e shërbimit ligjor pro bono si në bankat e universitetit po aq dhe në të ardhmen.

Mbyllja me sukses e Konferencës ishte një arritje për  profesorët e studentët e Fakultetit të Drejtësisë, e cila mund të konsiderohet si finalizim pas një sërë trajnimesh e pune përgatitore në kuadër të implementimit të Programit të Arsimit Klinik Ligjor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli