Konkurs – Korrupsioni në objektiv

📢📢A ke menduar që imagjinata jote mund të ndikojë në ndërjegjësimin e shoqërisë rreth teje? Nëse ke aftësi që përmes imazhit të shprehësh problematika të shoqërisë, atëherë vazhdo të lexosh më tej. Bëhet fjalë për çështjen e korrupsionit. Ke gjithë mundësinë të shfaqësh krijimtarinë sesi e koncepton ti korrupsionin, nëpërmjet fotografisë, ilustrimit grafik ose vizatimit të lirë dhe të bëhesh pjesë e konkursit.

Zgjidh mënyrën më origjinale të mundshme për të rritur ndërgjegjësimin përmes imazhit. Një juri e specializuar do përzgjedhë punimet më të mira për t’i shfaqur në ekspozitën “Korrupsioni në Objektiv”.

Efektet e korrupsionit në shoqëri janë të gjithanshme dhe shumë të dëmshme. Secili prej jush mund të jetë përballur me korrupsionin në forma të ndryshme dhe të jetë ndjerë i pafuqishëm për ta luftuar. Ne ju japim mundësinë që përmes imazhit të komunikoni një mesazh kundër korrupsionit. Duke e parë këtë fenomen përmes këndvështrimit tuaj, ju do të ndërgjegjësoni shoqërinë për ta identifikuar dhe luftuar korrupsionin në të gjitha format që ai shfaqet. Ne mirëpresim të gjitha punimet tuaja, ku ju do të tregoni historinë e shkurtër se si ju e perceptoni korrupsionin në jetën tuaj të përditshme.

Konkursi artistik është i hapur për të gjithë të rinjtë shqiptarë, profesionistë ose amatorë. Për disiplinën e fotografisë, nuk ka rëndësi aparati me të cilin keni fotografuar, mjafton që të respektohen parametrat (ndriçimi, fokusi, kompozimi). Për vizatimin e lirë, na dërgoni një skanim cilësor të punës tuaj, me përshkimin përkatës. Ndërsa punimin grafik të gjeneruar me kompjuter, dërgojeni në format .jpg. Punimet më të mira do të përzgjihen nga një juri e specializuar për t’u shfaqur në ekspozitën që do të zhvillohet në verë të vitit 2020 (informacioni i detajuar mbi ekspozitën do të përcillet në vazhdim). Tre historitë më të mira do të shpërblehen me çmime.

Rregullat:
– Për mediumin e fotografisë mund të dërgoni deri në tre fotografi, në formatin JPEG, me rezolucion të paktën 300dpi dhe të shoqëruara me informacionet e nevojshme;
– Punimet artistike pjesëmarrëse nuk duhet të kenë qenë të ekspozuara më parë dhe duhet të jenë në përputhje me temën e thirrjes;
– Stili i punimeve është i lirë, mjafton që t’i shërbejë mesazhit që doni të përcillni;
– Të gjitha aplikimet do të përzgjidhen dhe vlerësohen nga Bordi Artistik;
– Punimet duhet të jenë origjinale dhe të krijuara nga vetë aplikuesit;
– Pronësia intelektuale (autorësia) e punimeve mbetet e vetë krijuesit;
– Emri i krijuesit do të përmendet në të gjitha materialet që mund të prodhojë Qendra Europiane me këto punime;
– Printimi dhe ekspozimi do të merren përsipër nga organizatorët e konkursit.

Aplikimet duhet të dërgohen në adresën info@euro-centre.eu brenda datës 12 qershor 2020.

Informacionet e nevojshme që duhet të përfshini në aplikim janë:
– Emër/Mbiemër i krijuesit, si dhe një numër kontakti
– Mosha
– Vendbanimi
– Për fotografitë, vendi ku është fotografuar subjekti
– Titulli
– Një përshkrim shumë të shkurtër për imazhin e dërguar

* Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë 🇺🇸🇺🇸 . Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli