Moot Court ECHR

Duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm procesin e promovimit të standardeve të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, si një pjesë e pandarë e konsolidimit të shtetit të së drejtës, si dhe konsiderimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut si një “shkallë e katërt” e sistemit gjyqësor dhe numrit gjithnjë e në rritje të rasteve të dërguara nga qytetarët shqiptarë në GJEDNJ, Qendra Europiane në bashkëpunim me Civil Rights Defenders Shqipëri organizojnë prej vitit 2014 një projekt, fokusi i të cilit është organizimi i konkursit “Gjyq Simulues i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut – Shqipëri”. Në këtë konkurs do të përfshihen studentët e nivelit Bachelor dhe Master, të fakulteteve të drejtësisë, publike dhe private në Shqipëri.

Procedura e konkursit bazohet në procedurën e aplikuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Konkursi është projektuar të zhvillohet në tre faza, një fazë me shkrim dhe dy faza verbale. Duke u nisur nga një rast fiktiv ku janë shkelur të drejtat e njeriut, ekipet pjesëmarrëse në konkurs përgatitin argumentat me shkrim si “Aplikanti” dhe “Shteti” mbi kazusin e dhënë.

Nga të gjithë universitet pjesëmarrëse në konkurs, gjashtë prej tyre do të përzgjidhen në fazën e parë me shkrim, në bazë të një rregulloreje dhe kritereve të mirëpërcaktuara dhe do të “përballen” me njëri-tjetrin, si “Përfaqësuesit e Aplikantit” kundër “Përfaqësuesit e Shtetit”, në gjysmë-finale në bazë të shortit që hidhet një natë përpara konkursit. Dy ekipet më të mira që do të përzgjidhen nga konkursi gjysmë-final, do të përballen me njëra-tjetrën për të përcaktuar fituesin kombëtar të këtij gjyqi simulues.

Ekipi fitues në konkursin kombëtar “Gjyqi simulues GJEDNJ – Shqipëri” do të ketë  të drejtë të marrë pjesë në konkursin rajonal “Moot Court Competition” të organizuar nga Civil Rights Defenders prej vitit 2006.

Studentët pjesëmarrës në këtë konkurs kanë mundësinë të venë në praktikë dhe të thellojnë më tej njohuritë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht të atyre të drejtave, që garantohen nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe njohjen më të mirë të funksionimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Kalo te paneli