PREZANTIMI I PLANIT STRATEGJIK TË KOALICIONIT “DREJTËSI PËR TË GJITHË”

TIRANË – 26 janar 2017. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve të sistemit të drejtësisë, organizatave donatore, si dhe ambasadorë në Shqipëri, morën pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të Koalicionit “Drejtësi për të gjithë”, gjatë së cilës u prezantua edhe Plani Strategjik Trevjeçar i tij.
Aktualisht, në Koalicion janë bashkuar njëzetenjë organizata, rrjete e koalicione të shoqërisë civile. Koalicioni u krijua më datë 8 korrik 2016 nga katërmbëdhjetë organizata themeluese, si një bashkim i udhëhequr nga problematikat e identifikuara, i cili përfaqëson grupet më të prekshme të shoqërisë shqiptare, si për shembull, minoritetet, personat me aftësi të kufizuara, gratë, viktimat e trafikimit ose dhunës, të rinjtë, etj. Misioni i tij është të kontribuojë drejt një sistemi drejtësie transparent, të pavarur, të përgjegjshëm, profesional dhe të besueshëm, i cili është në shërbim të qytetarëve, veçanërisht të grupeve të paavantazhuara dhe të papërfaqësuara si duhet. Koalicioni do ta përmbushë misionin e tij përmes monitorimit të institucioneve të drejtësisë, aktiviteteve avokuese dhe edukimit ligjor. Përmbushja e këtij misioni do të jetë një hap kyç për të realizuar vizionin e koalicionit për “një sistem drejtësie ku të gjithë janë të barabartë dhe ku respektohen të drejtat dhe liritë e individit”.
Plani Strategjik për periudhën 2017-2019 do të jetë forca shtytëse e aktiviteteve të Koalicionit. Ai e vendos veçanërisht theksin te reforma aktuale në drejtësi dhe rritja e aksesit në drejtësi të grupeve të paavantazhuara. Në këtë drejtim, Koalicioni ka dhënë tashmë kontributin e tij me rekomandime për përmirësimin e një sërë projektligjesh të paketës së reformës në drejtësi.
Koalicioni është i hapur për të gjitha organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus të punës tyre sistemin e drejtësisë, ndaj i fton të gjitha këto organizata të marrin pjesë në procesin e reformës në drejtësi, duke sjellë kështu në vëmendje të gjyqësorit dhe politikëbërësve shqetësimet e qytetarëve, si dhe duke bërë presionin e duhur për ndryshim.
Koalicioni shpreh mirënjohjen e tij për USAID-in dhe Delegacionin e BE-së për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe ndihmesën teknike, si dhe mirëpret krijimin e partneriteteve bashkëpunuese me të gjithë organizmat shqiptarë e ndërkombëtarë që punojnë për reformimin e drejtësisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli