Qendra Europiane dhe Fondacioni “ABC” promovojnë Libohovën on-line

Zona e Libohovës konsiderohet me të drejtë si një prej më të pasurave në të gjithë Shqipërinë për sa i përket trashëgimisë historike, kulturore e gastronomike. E gjendur prej shekujsh në udhëkryq të qytetërimeve të ndryshme, të cilat kanë banuar apo mbajtur nën pushtim vendin tonë. Përveç pasurisë së traditave, kjo zonë e shtrirë në rrëzë të malit Bureto, me luginën e Drinos në mes dhe qytetin e Gjirokastrës në rrëzë të malit të Gjerë në anën përballë, ka prodhuar ndër shekuj ngjarje, histori dhe personalitete të shquara, që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar.

Duke marrë parasysh të gjitha këto detaje e veçori karakteristike të zonës së Libohovës, si edhe duke vënë re mungesën totale të informacionit praktik e fotografik të atraksioneve që ofron zona, Qendra Europiane përpunoi dhe realizoi në vitin 2011 këtë projekt, për të nxjerrë në pah përmes internetit dhe faqeve sociale këtë zonë jugore të Shqipërisë,  në mënyrë që ajo të jetë më pranë dashamirësve dhe turistëve të interesuar. Kjo nismë e qendrës u mirëprit nga Fondacioni “ABC”. Me anë të mbështetjes financiare të ofruar nga ky fondacion, zona e Libohovës dhe trashëgimia e saj pasqyrohen tashmë në një faqe interneti dhe gjithashtu në rrjetin social “Facebook”.

Në bazë të aktiviteteve dhe objektivave të projektit, stafi i përzgjedhur i Qendrës Europiane fillimisht vendosi bashkëpunimin me bashkinë e Libohovës. Vetë kryetari i bashkisë z. Altin Çomo, ka dhënë vazhdimisht mbështetjen e pakursyer të institucionit të tij për realizimin sa më të plotë të objektivave të paracaktuara. Gjithashtu, drejtuesi i zyrës së kulturës pranë bashkisë z. Petrit Ruli, ka asistuar në grumbullimin sa më të plotë të të dhënave, si edhe ka sugjeruar për detaje të veçanta të Libohovës, në mënyrë që të sigurohet ekspozimi i plotë i të gjitha karakteristikave tërheqëse të zonës. Një ndihmë të rëndësishme në aspektin e të dhënave ka dhënë edhe botimi “Profili i Qytetit Libohova” i bashkisë së qytetit dhe Fondacionit “Soros”.

Aktivitetet kryesore të projektit përfshinë studimin në vend, të potencialit të ofertës së prodhimeve e shërbimeve si dhe përpilimin e një baze të dhënash me ofertën e prodhimeve e shërbimeve. Këto do të shërbejnë për të përpiluar nisma të tjera të ngjashme me ndërhyrje më specifike. Gjithashtu, janë grumbulluar të dhënat e prodhuesve kryesorë të Libohovës, për të cilët ka informacion në faqen e internetit www.libohova.info.

Në të njëjtën kohë u realizuan mbi 400 fotografi për të sjellë më pranë vizitorëve të faqes së internetit atraksionet më kryesore, si: Kalaja e Libohovës, Sarajet e Mufit bej Libohovës, natyra dhe arkitektura karakteristike, varri i së motrës së Ali Pashë Tepelenës, Shahnishasë, kisha e Labovës së Kryqit, teqeja e Melanit, etj., nga të cilat u përzgjodhën më të bukurat e shprehëset.

Ky është bashkëpunimi i parë i Qendrës Europiane me Fondacionin “ABC” (Albanian Besa Capital), një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2008, që vë në dispozicion grante për të përmbushur objektivat e saj, si zhvillimi i qëndrueshëm; ngritja e kapaciteteve njerëzore për komunitete të caktuara, promovimi turistik, etj. Për më shumë informacion, klikoni tek www.abcfoundation.info.

Duke ju uruar shumë kënaqësi gjatë vizitës në www.libohova.info, ne ju sugjerojmë, që të ndërprisni për disa ditë aktivitetet tuaja të përditshme dhe të ndërmerrni një udhëtim drejt zonës së Libohovës ose ta përfshini si një prej stacioneve të pushimeve tuaja të ardhshme, për të prekur historinë e saj, për të shijuar gastronominë e traditat e saj, si dhe për të përjetuar një  përzierje krejt origjinale të habisë me mahnitjen nga të gjitha këto atraksione turistike që ofron e gjithë kjo zonë e lashtë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli