“Qendra Europiane dhe Fondacioni Konrad Adenauer prezantojnë në qytetet e Kuçovës, Beratit dhe Çorovodës projektin “Unë dhe Europa”

Një ndër objektivat kryesore të Qendrës Europiane është përhapja dhe promovimi i njohurive mbi realitetin, vlerat dhe organizmat europiane, veçanërisht Bashkimin Europian. Në përmbushje të këtij objektivi Qendra Europiane në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Konrad Adenauer Shqipëri nisën në Tetor 2013 zbatimin e projektit “Unë dhe Europa”, i cili zhvillohet në kuadër të programit “Të njohim më mirë Bashkimin Europian – rruga e integrimit të Shqipërisë në BE”. Qëllimi i projektit është prezantimi i Bashkimit Europian tek nxënësit e arsimit parauniversitar në Shqipëri. Më konkretisht, projekti konsiston në hartimin dhe botimin e një guide, e cila paraqet në mënyrë të përmbledhur historikun, mënyrën e funksionimit të Bashkimit Europian si një makro strukturë sui generis dhe rrugën e marrëdhënieve Shqipëri – BE. Pas përmbylljes me sukses të fazës së parë të projektit, e cila konsistonte në hartimin dhe botimin e broshurës informuese “Unë dhe Europa”, si edhe vendosjes së bashkëpunimit me Drejtoritë Arsimore Rajonale të tetë qyteteve në Shqipëri, Qendra Europiane dhe KAS nisën më datë 10 Mars prezantimin e këtij projekti përballë maturantëve të qytetit të Kuçovës, Beratit dhe Çorovodës. Për gjimnazistët e viteve të treta të këtyre qyteteve u organizuan workshop-e, të cilat patën si qëllim jo vetëm prezantimin e historikut dhe funksionimit të BE-së, por edhe nxitjen e diskutimit mbi sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE, si edhe përballjen e identitetit të këtyre “qytetarëve të ardhshëm” shqiptar me ata europian. Në përfundim të workshop-eve maturantët e secilit gjimnaz shprehën vlerësimin dhe rekomandimet e tyre për projektin, si edhe për përfshirjen e mundshme të mënyrës së funksionimit të Bashkimit Europian në kurrikulat mësimore. Në vazhdim të implementimit të fazës së dytë të projektit “Unë dhe Europa” Qendra Europiane dhe KAS Shqipëri do të vazhdojnë organizimin e workshop-eve edhe në disa qytete të tjera të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli