TRYEZË DISKUTIMI-“MARRËDHËNIET MES SHQIPËRISË DHE GREQISË: MARRËVESHJA MBI KUFIJTË DETARË”
Më datë 21 janar Qendra Europiane në bashkëpunim me Departamentin e së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, UT zhvilluan tryezën e diskutimit “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë: Marrëveshja mbi kufijtë detarë”.
Në këtë tryezë diskutimi të hapur ishin të pranishëm profesorë të Departamentit të së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, gjithashtu prof. Giuseppe Cataldi pjesë e Universitetit të Napolit, i cili ishte i ftuar special në diskutimin në fjalë. Të pranishëm ishin edhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë UT.
Prof. Asoc. Evis Alimehmeti, e cila është njëkohësisht Përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë hapi tryezën e diskutimit duke theksuar rëndësinë e çështjes në fjalë dhe angazhimin për të hedhur në fokus shembuj të tillë, të cilët shërbejnë jo vetëm për formimin e studentëve pjesemarrës por edhe më gjërë, opinionit publik. Ajo ftoi Prof. Giuseppe Cataldi të merrte fjalën, i cili zhvilloi temën “Disa vrojtime të përgjithshme mbi delimitimin e kufijve detarë në Mesdhe”, ku trajtimi i çështjes në baza shembujsh ndërkombëtarë ndihmoi për ilustrimin sa më të qartë të çështjes shqiptare.
Më tej fjalën e mori Dr. Erjon Muharremaj, i cili trajtoi temën “Delimitimi i hapësirave detare dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve mbi to” e në vijim, M.A. Fjorda Shqarri me çështjen në lidhje me “Plotfuqinë e Kryetarit të Shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare”.
Diskutimi pati shumë interes nga ana e studentëve, pasi shqyrtimi dhe trajtimi i çështjes në mënyrë të detajuar hodhi në dritë qasje të reja.