VENDIM PËR PROCEDURAT GJYQËSORE PENALE KUNDËR ANËTARËVE TË MINORITETIT GREQISHT-FOLËS NË SHQIPËRI

Në vendimin Beleri dhe të tjerët k. Shqipërisë (aplikimi nr. 39468/09) Gjykata e të Drejtave të Njeriut e deklaroi kërkesën të papranueshme. Vendimi është i formës së prerë.

Kërkuesit janë pesë shtetas shqiptarë me origjinë nga qyteti i Himarës, të cilët i përkasin minoritetit greqisht-folës dhe jetojnë në Greqi. Njëri prej tyre ishte president i një shoqate minoritare në Greqi e quajtur Bashkimi i Himariotëve dhe botues i gazetës së shoqatës, e cila botohet në greqisht; një tjetër kërkues ishte anëtar bordi i shoqatës. Në botimin e radhës, në vjeshtën e vitit 2003 ai i kërkoi himariotëve që jetonin në Greqi të vetëorganizoheshin për të votuar në zgjedhjet lokale të tetorit 2003 në Shqipëri. Në mbrëmjen e 12 tetor 2003 në ditën e zgjedhjeve, duke ndjekur raportet mbi parregullsi të procesit zgjedhor, kërkuesit protestuan përpara komisionit zgjedhor lokal, duke mbajtur flamuj grek dhe duke thënë parulla pro-greke, duke demonstruar mbështetjen e tyre për një nga kandidatët. Të nesërmen ata u larguan nga Shqipëria për në Greqi, ku jetojnë aktualisht.

Ndaj tyre u ngrit një akuzë dhe në shtator të vitit 2004 ata u dënuan në mungesë për veprat penale të thirrjes për urrejtje nacionale dhe të poshtërimit të Republikës dhe i simboleve të saj. Pasi morën dijeni për vendimin e marrë ndaj tyre, kërkuesit autorizuan një avokat që t’i përfaqësonte në gjykatën e Apelit e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim. Në seancën e zhvilluar në shkallë të parë, gjykata konstatoi se kërkuesit i fshihen drejtësisë e për këtë arsye gjykimi do të zhvillohej në mungesë. Në korrik të vitit 2006 ata u dënuan përsëri në mungesë me tre vite burgim. Kërkuesit e apeluan vendimin. Ata kërkuan që veprimet e tyre të klasifikohen si kundërvajtje dhe dënimet e tyre me burg të konvertohen në dënime me gjobë. Përfundimisht Gjykata e Lartë, në shkurt 2009 rrëzoi pretendimet e tyre.

Kërkuesit u ankuan për shkelje të nenit 10 dhe nenit 14 me pretendimin se liria e tyre e shprehjes është shkelur për shkak se ata i përkasin minoritetit greqisht-folës. Ata më tej u ankuan për shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme) dhe nenit 13 (e drejta për zgjidhje efektive).

Vendimi i Gjykatës në lidhje me Nenin 10

Gjykata vlerësoi se kërkuesit nuk kishin ngritur pretendimet e tyre për shkelje të lirisë së shprehjes përpara gjykatave të brendshme. Për këtë arsye, kjo pjesë e kërkesës u rrëzua për mosshterim të mjeteve juridike të brendshme.

Neni 6§1

Gjykata vuri në dukje se kërkuesit, të cilët ishin larguar nga Shqipëria, nuk u paraqitën në seancat gjyqësore pasi çështja u rikthye për gjykim në shkallë të parë dhe vazhduan të gjykohen në mungesë. Duke iu referuar jurisprudencës së saj, Gjykata theksoi se kur një person i akuzuar largohet nga një shtet i cili respekton parimet e shtetit të së drejtës, ai/ajo nuk ka të drejtë të ankohet për kohëzgjatje tej afatit të arsyeshëm të procedurave, që prej momentit te largimit. Në çdo rast, Gjykata nuk vlerëson se kohëzgjatja e procedurës – rreth katër vjet e dy muaj për tre nivelet e gjykimit- ka qenë e tepruar. Prandaj, kërksesa u rrëzua si e pabazuar, në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.

Nenet e tjera

Duke qenë se nuk gjeti shkelje të neneve të mësipërme, Gjykata rrëzoi pretendimet e kërkuesve sipas neneve 13 dhe 14, si haptazi të pabazuara, në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli