WORKSHOP NË UNIVERSITETIN E SHKODRËS: E DREJTA E AZILIT

Më datë 30 mars 2016, pranë ambienteve të Bibliotekës “Marin Barleti”, Shkodër u mbajt trajnimi një ditor me temë qëndrore “E drejta e Azilit”. Trajnimi u organizua nga Qendra Europiane dhe Fondacioni Konrad Adenauer, Zyra për Shqipërinë në bashkëpunim me Departamentin e së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Ky aktivitet u zhvillua me studentë të fakultetit të drejtësisë dhe gazetarisë.

Trajnimi kishte për qëllim përmirësimin e njohurive lidhur me standardet e së drejtës ndërkombëtare në lidhje me të drejtën e azilit, të cilat janë thelbësore për një adresim të saktë të situatës si dhe mirëfunksionimin e sistemeve legjislative dhe gjyqësore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjendja lidhur me azilkërkuesit dhe refugjatët në kërkim të një jetë më të sigurt jashtë vendeve të tyre është përkeqësuar së tepërmi kohët e fundit. Miliona njerëz tashmë kanë kërkuar azil, në veçan­ti në Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian ku si portë hyrëse kanë shërbyer kryesisht vendet e Mesdheut dhe sidomos Greqia.  Gjithashtu, gjatë viteve 2014 dhe 2015 mijëra qytetarë të Ballkanit Perëndimor u larguan për të kërkuar azil në vendet BE-së, veçanërisht në Gjermani, me arsyetimin e gjendjes së mjeruar ekonomike.

Situata e krijuar kërcënon të drejtën ndër­kombëtare të refugjatëve, Sistemin e Përbashkët Evropian për Azilin, standardet e kërkuara nga KEDNJ dhe legjislacionet kombëtare të refugjatëve të disa vendeve. Në një kontekst më të gjerë rrezikohet së tepërmi rritja e ndjenjave të ksenofobisë dhe racizmit në të gjithë Evropën. Për këtë, çështjet e azilit në Evropë kërkojnë vëmend­jen dhe trajtimin në mënyrën e duhur për zgjidhjen e situ­atës, ku përveç të tjerave duhet bashkëpunimi e shprehja e vullnetit të mirë të gjithë vendeve të kontinentit të vjetër.

Gjatë aktivitetit u referuan këto tema nga ekspertet:

Prof. Asoc. Dr. Migena Leskoviku referoi temën “E drejta e azilit dhe standardet ndërkombëtare: mbrojtja ligjore dhe integrimi”. Gjatë fjalës së saj  u sollën në vëmendje rëndësia e njohjes së standardeve, të drejtave dhe detyrimeve që ka një azilkërkues. Kush mund ta kërkojë këtë mundësi si dhe ligji shqiptar për azilkërkuesit.

Më pas Msc. Ina Xhepa, Drejtore Ekzekutive pranë Qendrës Europiane prezantoi broshurën “Guidë mbi të drejtën e azilit” përgatitur nga Qendra Europiane, me mbështetjen e KAS. Kjo broshurë shpjegon në mënyrë të përmbledhur nocionet bazë, kuadrin ligjor dhe funksionimin e Sistemit të Përbashkët të Azilit në Bashkimin Europian, si dhe cilët persona mund të përfitojnë nga statusi i azilkërkuesit. Studentëve pjesëmarrës ju shpërndanë kopje të broshurës. Gjithashtu gjatë fjalës së saj Znj. Xhepa solli dhe disa kazuse praktike nga jurisprudenca e GJEDNJ, për ta bërë trajnimin më interaktiv.

Faza e fundit e trajnimit u mbajt nga Z. Michael Gumprich, Sektretar pranë Zyrës së Migracionit dhe Refugjatëve pranë Ambasadës Gjermane në Shqipëri, i cili ju përgjigj pyetjet që mund të kishin të pranishmit, duke shpjeguar sesi mund të aplikohej për në Gjermani për mundësi punësimi apo studimi dhe duke shpjeguar faktin se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine dhe mundësitë për të përfituar azil në një vend të BE-së janë thuajse zero.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli