WORKSHOP – STANDARDET E GJYKATËS SË STRASBURGUT PËR TË DREJTËN E AZILIT

Gjendja aktuale për çështjet e azilit në Evropë kërkon vëmendjen dhe trajtimin në mënyrën e duhur për zgjidhjen e kësaj situate, ku përveç të tjerave kërkohet bashkëpunimi dhe shprehja e vullnetit të mirë të gjithë vendeve të Evropës. Në kuadër të kësaj problematike Qendra Europiane ndan mendimin se përmirësimi i njohurive lidhur me standardet e së drejtës ndërkombëtare për të drejtën e azilit, janë thelbësore për të pasur një adresim të saktë të situatës si dhe mirëfunksionimin e sistemeve legjislative dhe gjyqësore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qendra Europiane me mbështetjen e Tranzit sh.p.k organizuan workshop-in “Standardet e Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e azilit” më 21 dhjetor 2015, në ambientet e Hotel Tirana International.

Ligjërues në këtë workshop ishin dy gjyqtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut:

Z. Ledi Bianku – Gjyqtari përfaqësues i Shqipërisë në GJEDNJ

Z. Robert Spano – Gjyqtari përfaqësues i Islandës në GJEDNJ

Të pranishëm në këtë trajnim ishin Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, Ambasadorja e Ambasadës Holandeze, Znj. Dewi Van De Weerd, Shefi i Departamentit të Mjedisit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Z. Bas Berends, Z. Denar Biba Zv. Kryetar i KQZ, Znj. Vjollca Meçaj, ish anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si edhe shumë studentë të interesuar mbi zhvillimet juridike më të fundit në këtë fushë.

Ky workshop synoi të sillte më pranë gjyqtarëve, ambasadorëve dhe profesionistëve të tjerë të së drejtës standardet e GjEDNJ-së lidhur me të drejtën e azilit, e cila së fundmi ka qenë kryefjala e diskutimeve në agjendën evropiane.

Z. Bianku dhe Z. Spano në diskutimin e tyre lidhur me të drejtën për azil u shprehën se asnjë nen i Konventës nuk ka parashikime në mënyrë specifike për emigrantët, azilkërkuesit apo refugjatët. Janë vetëm disa nene që përmendin specifikisht shtetasit e vendeve të treta si Neni 16 (Kufizime ndaj veprimtarisë politike të të huajve), neni 4 prot. 4 (Ndalimi i dëbimit kolektiv të

të huajve) dhe neni 1 prot. 7 (Garancitë proceduriale në lidhje me dëbimin e të huajve). Nga ana tjetër, Konventa shprehet se shtetësia e azil-kërkuesit nuk ka rëndësi, dhe se përgjegjësi do të mbajë çdo shtet palë, duke zbatuar këtu edhe parimin e ekstra-territorialitetit. Për sa i përket mbrojtjes që garanton Karta Themelore e të Drejtave të Njeriut të BE-së, gjyqtari Bianku në prezantimin e tij u shpreh se Neni 18 i kësaj Karte për të drejtën e azilit referon në Konventën e Gjenevës dhe protokollet përkatëse si edhe në Traktatin Themelues të Unionit.

Megjithatë, në çështjet e kërkimit të azilit dhe shkeljet e të drejtave të këtyre subjekteve, nga jurisprudenca e GJEDNJ-së invokohen kryesisht nenet si më poshtë:

Neni 2 – e drejta e jetës;

Neni 3 – ndalimi i torturës;

Neni 5 – e drejta për liri dhe siguri;

Neni 6 – e drejta për një gjykim të drejtë;

Neni 14 – ndalimi i diskriminimit;

Neni 4 Prot. 4 – ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve;

Neni 1 Prot. 7 – Garancitë procedurale që lidhen me dëbimin e të huajve.

Garancitë për mosshkelje të nenit 2 për të drejtën e jetës përfshijnë parimin e mos-kthimit, ku me të nënkuptohet moskthimi i azil-kërkuesit nëse ky i fundit do të përballet me dënimin me vdekje ose me potencialin e dënimit me vdekje, me zhvendosje të pakomunikuara dhe të paparalajmëruara, si edhe për arsye të tjera ku atij i rrezikohet jeta, si për shembull garancitë procedurale, apo mungesa e kujdesit shëndetsor kur rrezikohet jeta.

Në shkelje të nenit 3, situata lehtësohet edhe më tepër kur barra e provës që i takon kërkuesit, i kalon shtetit sapo ky i fundit vërteton se është në rrezikun e të qenit viktimë e nenit 3, mjafton që rreziku të jetë real dhe të arrijë një nivel minimal ashpërsie. E drejta e parashikuar në nenin 3 është një e drejtë absolute dhe interpretimi i tij është strikt e për pasojë nuk mund të aplikohet asnjë test proporcionaliteti. Edhe në rastet e persekutimit, ky nen nuk kërkon arsye për të pretenduar shkelje të tij.

Sistemi i Dublinit, i cili po diskutohet së shumti këto kohë për shkak të efiçencës së tij në përballimin e fluksit të emigrantëve në Evropë, parashikon se shtetet anëtare kanë përgjegjësi për ekzaminimin e kërkesave të azilit të ardhura në këto shtete nga qytetarë të vendeve të treta. Lëvizja nga një shtet anëtar në tjetrin nuk ndikon me përgjegjësinë e shtetit të parë për t’u siguruar se aplikanti nuk do të përballet me trajtime në shkelje të nenit 3, rasti i çdo aplikanti do të shqyrtohet individualisht dhe nuk do të merren parasysh defiçencat sistematike, por rrezikshmëria, si edhe situata e shteteve të destinacionit. Nga ana tjetër duke marrë në konsideratë që BE e bazon politikën e saj të emigracionit mbi Rregulloren e Dublinit – II, nuk reflekton situatën e momentit ku përveç limiteve të autoriteteve greke, duket se pesha bie kryesisht mbi to dhe vendet kufitare në juglindje të Bashkimit Evropian.

Kalo te paneli