“DITA PAS STATUSIT KANDIDAT- ÇFARË VJEN MË PAS?” TRAJNIM DY DITOR NË KUADËR TË JAVËS EVROPIANE 2015

Në datë 4 dhe 5 maj, në orën 10:00 u zhvillua në ambjentet e Hotel Carlsberg në Tiranë, trajnimi dy-ditor i projektit “Dita pas statusit kandidat – Çfarë vjen më pas ?” në kuadër të bashkëpunimit mes dy organizatave partnere Qendrës Europiane dhe Fondacionit Konrad Adenauer Shqipëri.

Trajnimi dy-ditor i Tiranës ishte nisja e fazës së dytë të projektit, pas përmbylljes me sukses së fazës së parë të tij, e cila konsistonte në botimin e broshurës “Pasaporta ime Evropiane”. Botimi i broshurës ka si qëllim prezantimin e BE-së përballë të rinjve dhe pasqyrimin e dinamikave të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht pas marrjes së statusit të vendit kandidat. Jo pa qëllim workshopi i Tiranës u zhvillua në 4-5 maj, data të cilat përputhen me Javën Europiane 2015, e cila përmbyllet me Ditën e Evropës datë 9 maj.

Ky event pati të ftuar bashkëpunëtorë të huaj dhe shqiptarë. Dita e parë e trajnimit u hap me fjalën e mirëseardhjes por edhe të këndvështrimeve  në sjelljen më afër të standarteve dhe vlerave europiane në integrimin e Shqipërisë nga përfaqësuesi i KAS Dr. Thomas Schrapel, zëvëndësministrja e Punëve të Jashtme  Znj. Odeta Barbullushi, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Znj. Majlinda Bregu dhe përfaqësuesja e Qendrës Europiane Ina Xhepa, e cila ishte njëkohësisht edhe moderatore e gjithë aktivitetit.

Më tej u mbajtën referim nga e ftuara e nderit  profesorja e Universitetit “La Rochelle”  Znj. Marie-Ange Schellekens-Gaiffe, e cila është eksperte e të drejtës evropiane dhe mike e hershme e Shqipërisë. Ekspertë të ndryshëm shqiptar patën mundësi të ndajnë eksperiencat e tyre në fusha të ndryshme si reforma në administratën publike, teoritë e përfaqësimit dhe cenimi i sovranitetit, avantazhet dhe disavantazhet e euro-zonës etj.

Gjatë ditës së dytë të trajnimit sollën eksperiencën në lidhje me integrimin evropian dy studentë nga Kosova dhe Maqedonia.

Në mbyllje ky trajnim u vlerësua si mjaft i suksesshëm nga vetë interesi i madh i studentëve në përfshirjen e diskutimeve e temave të larmishme të  zhvilluara në mënyrë interaktive, të cilat sollën në fokus inkurajimin e bashkëpunimit të të rinjve në procesin e integrimit si dhe një sërë qasjesh e perspektivash të reja si sfida për dinamikat e integrimit të Shqipërisë në BE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Kalo te paneli